Policia e Kosovës konfirmoi sot (14.06.2023) kidnapimin e tre pjesëtarëve të saj nga persona të maskuar dhe të armatosur. Rasti ka ndodhur në vendin e quajtur Tresave/Bare, thellë brenda në territorin e Republikës së Kosovës.
Me këtë rast në drejtim të kësaj pike janë nisur njësi shtesë të Policisë së Kosovës, por me të arritur në atë lokacion, njësitet asistuese kanë vërejtur vetëm veturën zyrtare, por jo edhe vet zyrtarët policorë që kanë qenë me detyrë në atë lokacion.
Kidnapimin e tre zyrtarëve kufitar e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla, i cili ka thënë se përderisa rendi dhe ligji po zbatohet në vendin tonë, Serbia kriminale ka hyrë në territorin e Kosovës dhe ka kidnapuar 3 zyrtarë policorë të Republikës së Kosovës. Ai shtoi se kjo është shkelje e çdo marrëveshje e kundër çdo parimi të normave ndërkombëtare.
“Pa asnjë dyshim, zyrtarët tanë policorë kanë qenë të vendosur thellë brenda territorit të Republikës së Kosovës, në pikë kontroll statik, duke kryer detyrat e tyre të rregullta. Serbia po vazhdon të jetë shkaktar dhe gardian i së keqes në rajon e në Kosovë. Ne nuk zmbrapsemi para kriminelëve e terroristëve. Serbia po tregon përsëri fytyrën e saj të vërtetë dhe atë të një shteti autokrat e agresor”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Kryeminsitri Kurti ka kërkuar nga faktorët ndërkombëtarë të reagojnë menjëherë dhe lirimin e menjëhershëm të policëve. Në anën tjetër, mediat serbe shkruajn sot se „pjesëtarët e njësive speciale të policisë serbe arrestuan tre anëtarë të forcave speciale të Kosovës të armatosur deri në dhëmbë në territorin e Serbisë qendrore. Të tretë ishin të armatosur me armë automatike dhe me pajisje të plota luftarake me pajisje GPS, harta dhe pajisje të tjera“, shkruajnë mediat në Serbi. U paralajmërua gjithashtu se Drejtori i Zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, do të mbajë sot një konferencë të jashtëzakonshme për media.