Bashkimi Evropian do të ndajë 9 miliardë euro grante dhe 30 miliardë investime në Ballkanin Perëndimor për projekte të shumta, që me siguri është mirë. Perspektiva e anëtarësimit „mbetet e hapur“ dhe nxitet bashkëpunimi rajonal!
Në samitin e Sllovenisë u tha se „Bashkimi Evropian është i paplotë pa Ballkanin Perëndimor“. U tha se procesi duhet të vazhdojë me fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Se Ballkanit Perëndimor nuk po i bëjmë favor, por se e drejta e anëtarësimin një ditë në BE i takon, sepse është pjesë e Evropës. Madje edhe skeptikët e mëdhenj, si kryeministri holandez Mark Route, kanë kërkuar që të zgjidhen problemet e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut dhe që procesi i negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut duhet të fillojë. Kryeministri Kurti kërkoi që të bëhet liberalizimi i vizave dhe që t’i bëhet presion Serbisë për të pranuar realitetin e ri në Kosovë. U mbajt edhe një takim i ndarë Merkel-Macron-Kurti-Vuçiq. Vuçiqi e tha edhe një herë se Serbia e ka të qartë se pa rregullimin e rarpoteve me Kosovën nuk ka anëtarësim në BE. Por ai thotë se „njohjen nuk ia ka kërkuar askush“ (si është e mundur që pas 10 vitesh negociatash të mos e përmend askush nuk e di). Ursula von der Leyen e paraqiti si sukses arritjen e marrëveshjes për targat mes Kosovës dhe Serbisë.
Ka pasur shumë fragmente interesante në samitin e Brdos në Slloveni. Por për fat të keq vetëm fragmente, sepse Bashkimi Evropian nuk e pranoi kërkesën kryesore të Sllovenisë, që Ballkanit Perëndimor t’i hapet perspektiva e anëtarësimin deri në vitin 2030. Nuk u nënshkrua asnjë dokumnt i rëndësishëm udhërrëfyes.
Sllovenia meriton çdo respekt për angazhimin dhe përpjekjen që BP ta vë në qendër të vëmendjes. Ballkani Perëndimo, pa pikë dyshimi ka probleme të mëdha, si brnda vendeve, ashtu edhe në raportet rajonale. Ka probleme me korrupsionin, funksionimin e shtetit juridik, me krimin e organizuar. Ka probleme të shumta politike dhe territoriale. Por asnjë prej këtyre problemeve nuk është i pazgjidhshëm në rrugën drejt anëtarësimit. Nëse ekziston gatishmëria, vullneti dhe uniteti brenda vet BE-së.
E BE edhe njëherë dëshmoi se shpesh është peng i mospajtimeve të brendsdhme dhe se mungon qendra e vendimmarrjes. Por kështu funksionon ai – me shumë negociata, me shumë dakordime dhe në fund ndonjë vendim i vakët. Por BE duhet të ketë kujdes, e tha kryeministri i Letonisë. „Ose duhet t’ia shtrijmë dorën Ballkanit Perëndimor, ose atje do ta shtrijnë dorën të tjerët“, tha ai. Me vende e ka.