Bedri Hamza në Mynih dhe Shtutgart – prezatonin kandidatin e PDK për zgjedhje Isak Neziri

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës për kryeministër Bedri Hamza ka qëndruar për vizitë në Mynih ndërsa sot do të jetë edhe në Shtutgart. Bedri Hamza është takuar në Mynih fillimisht me qindra studentë, e më pas edhe me mërgimtarët. Njëkohësisht e ka prezantuar edhe kandidatin e PDK për deputet nga mërgata, Isak Neziri. Ai do të jetë në listën e PDK si kandidat nga mërgata për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Neziri përmes një statusi në Facebook ka thënë se do të jetë privilegj për të që t’i shërbejë vendit.

Cani Travel

“I nderuar që kryeministri i ardhshëm i Kosovës më prezantoi si kandidat për deputet. Do të jetë nder dhe privilegj për mua t’i shërbej vendit, duke mos kursyer asgjë nga vetja. Bashkë me mërgatën, e bëjmë Kosovën më të mirë“, thotë ai.

Isak Neziri është një nga afaristët e suksesshëm kosovarë në mërgatë, ku ka punësuar qindra punëtorë. Ndërkohë që bizneset i ka shtrirë edhe në Kosovë.

Në ditën kur Hamza paraqitet në Shtutgart, kryeministri dhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti do të takojë mërgatën në Frankfurt. Këtë takim e ka njoftuar edhe Konsullata e Kosovës në Frankfurt.