Biden lejoi përdorimin e pjesshëm të armëve amerikane për sulme në Rusi

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, i ka dhënë leje Ukrainës t’i përdorë armët amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë, por vetëm për qëllime të kufizuara për ta mbrojtur Harkivin, raporton Associated Press.

Ky lajm nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Shtëpia e Bardhë, dhe nuk ka pasur as reagime nga Ukraina.

Cani Travel

Vendimi i Bidenit lejon që armët, me të cilat SHBA-ja e furnizon Ukrainën, të përdoren vetëm për “qëllime të kundërsulmeve në rajonin e Harkivit, në mënyrë që Ukraina t’iu përgjigjet forcave ruse të cilat e sulmojnë atë, apo përgatiten për ta sulmuar”.

Shefi i NATO-s Jens Stoltenberg, tha më herët të enjten se vendet anëtare të Aleancës duhet ta shqyrtojnë heqjen e kufizimeve ndaj përdorimit të armëve të tyre nga Ukraina për sulme brenda Rusisë.

Në muajt e fundit, Rusia ka kryer sulme të shumta ajrore dhe tokësore kundër Ukrainës, e cila po përballet me mungesë municioni.