Bleonita Sejdiu nga Kosova u shpall ditë më parë furrtarja dhe shitësja e vitit në një garë nacionale për bukëpjekësit e rinj në Gjermani. 21-vjeçarja që jeton në Marsberg të Gjermanisë mori këtë çmim vetëm disa muaj pasi e përfundoi trajnimin si specialiste në tregun e ushqimeve, në veçanti në pjekje. Ajo e kishte për detyrë të bënte një mëngjes luksoz, duke përfshirë mënyrën e shitjes, deklarimin e përbërësve, sasinë e tyre, dekorimin etj.
„Konkurrenca ishte mjaft e fortë, por unë nuk kisha asgjë për të humbur, edhe vetëm po të merrja pjesë në këtë garë do të ishte një kujtim i bukur“, tha Bleonita. Ajo u zhvendos nga Kosova në Gjermani tre vjet më parë dhe tashmë ia doli të arrijë një sukses kaq të madh.