Bundestagu gjerman do të vendosë sot për propozimet e unionit CDU/CSU për politikën e re të migracionit në Gjermani. Shkak për këtë është sulmi vdekjeprurës me thikë i një afgani 28-vjeçar në qytetin e Ashafenburgut, ku janë vrarë dy persona.
Kristiandemokratët dhe kandidati i tyre për kancelar, Friedrich Merz kërkojnë ndalimin e futjes së migrantëve ilegalë në vend dhe dëbimin e atyre që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani.
Ndër pesë pikat që sipas CDU/CSU duhet të zbatohen menjëherë, bën pjesë edhe „arrestimi i menjëhershëm dhe mbajtja në paraburgim“ e personave të cilët janë të detyruar të largohen nga Gjermania.
Këto propozime kanë shkaktuar debate të mëdha, sepse socialdemokratët dhe ekologjistët nuk i mbështesin ato. Nëse këto propozime votohen sot me votat e partisë djathtiste ekstremiste, AfD, do të ishte kjo hera e parë që në Bundestag votohet diçka me ndihmën e kësaj partie, që nga partitë SPD dhe ekologjistët vlerësohet si tërësisht e papranueshme.