Delegacioni i Kosovës, i kryesuar nga kryeministri Albin Kurti ka kërkuar në raundin e fundit të dialogut në Bruksel që të bisedohet për marrëveshjen e përgjithshme dhe jo për çështje teknike. Këtë bëri të ditur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në një konferencë për shtyp të mbajtur sot në Beograd, e cila nga bashkëpunëtorët e tij, ishte paralajmëruar si „historike“.
Vuçiq përsëriti se „Serbia do të fitojë në fund“, por nuk e tha si do të ndodhë kjo fitore. Ai theksoi se Serbia nuk do të lejojë „pogromin“ dhe „dëbimin masiv“ të serbëve. Ndërsa rolin e NATO-s dhe të Kforit në Kosovë ai e sheh „për mbrojtjen e serbëve në veri“ dhe jo të lejojë „futjen e bandave shqiptare“ (siç e quajti njësinë speciale të Policisë së Kosovës).
Sa i përket bisedimeve në Bruksel, Vuçiq bëri të ditur se delegacioni i Kosovës, ose siç e quante ai, pala shqitpare, ka paraqitur një plan prej gjashtë pikësh që duhet të trajtohet. Sipas tij, këto pika janë: Parimet e përgjithshme të marrëdhënieve dypalëshe, që ka dy nënpika: njohja reciproke dhe anëtarësimi në të gjitha organizatat ndërkombëtare.
Zgjidhja e problemeve nga e kaluara, zgjidhja e problemit të të pagjeturve, konstatimi dhe zgjidhja e problemit të personave të përdhunuar, personave të zhvendosur, shkatërrimit të pronës private dhe publike dhe kthimi i artifakteve të vjedhura nga Serbia në kohë lufte. Më pas, pala kosovare ka kërkuar edhe dëmshpërblimet e luftës, pra që Serbia duhet t’i paguajë të gjitha dëmet. Një kërkesë tjetër ka qenë edhe vendosja e bazave për bashkëpunim në të ardhmen, që nënkupton edhe respektimin reciprok për të drejtat e serbëve në Kosovë dhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës. Më në fund, delegacioni i Kosovës i drejtuar nga kryeministri Albin Kurti, sipas presidentit të Serbisë, ka kërkuar edhe: rishqyrtimin e marrëveshjeve të dakorduara më parë dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe dispozitat përfundimtare.
Vuçiq ka kundërshtuar këto kërkesa dhe disa herë tha se e domosdoshme është që të respektohet Marrëveshja e Kumanovës dhe Rezoluta 1244, sipas së cilës Kosova është pjesë e Serbisë.
Sa i përket zhvillimeve aktuale, Vuçiq tha se ai do të vazhdojnë të angazhohet për paqe, por serbët “janë mbështetur për muri” dhe nuk kanë ku të shkojnë. Ai nënvizoi se pala serbe megjithatë do të vazhdojë të angazhohet për zgjidhje paqësore për targat, dokumentet serbe dhe çështje të tjera. Por njëkohësisht theksoi se Serbia dhe ai personalisht u kanë garantuar serbëve të veriut se nuk do të ndodhin shpërnguljet dhe „pogromi“, siç kanë ndodhur në të kaluarën.
Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takuan në Bruksel më 18 gusht në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Takimet në Bruksel përfunduan pa asnjë marrëveshje konkrete rreth tensioneve të fundit, që kanë të bëjnë me vendimet e qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.