Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka kërkuar një seancë të jashtëzakonshme në Këshillin e Sigurimit të OKB, për shkak të nxjerrjes nga përdprimi në Kosovë të dinarit serb. Por debati ishte shumë më i gjërë. Kosovën e përfaqësoi kryeministri Albin Kurti.
Në Këshillin e Sigurimit të OKB-së u diskutua për situatën në Kosovë, por edhe për të kaluarën dhe krimet e gjenocidin e palës serbe. Vuçiq foli „për padrejtësitë, për mosrespektimin e të drejtave të serbëve e madje edhe për përpjekje të regjimit të Kurtit për spastrim etnik të serbëve në Kosovë“, duke përmendur raste të dhjetëra incidenteve dhe largimin e dinarit, por me asnjë fjalë nuk përmendi sulmin terrorist serb, të mbështetur nga vetë Serbia. Por këtë nuk e harroi pa përmendur kryeministri Kurti në argumentimet e tija, si dhe shumë krime e gjenocidin të bërë nga forcat serbe.
Sa i përket serbëve në Kosovë, Kurti tha se Kosova ka krijuar një shtet multietnik, por Serbia ka instrumentalizuar serbët tërë kohën. Kryeministri i Republikës së Kosovës, tha se „në shtetin tonë zbatohet Kushtetuta në masat më të larta për mbrojtjen e pakicave“. “Është një ironi e thellë për këto pretendime të rrejshme të persekutimeve, nga një vend që është i njohur që ka kryer gjenocidin e fundit”, i tha Kurti Vuçiqit me të marrë fjalën.
“Ky Këshill ka krijuar Tribunalin e Hagës në vitin 1993 për shkak të krimeve. Serbia ka urdhëruar dhe kryer gjenocid në Srebrenicë dhe në Kosovë, studiuesit e ndryshëm kanë pohuar se përdhunimet janë kryer si mjet lufte… Nga kjo vuajtje Kosova doli si simbol për dinjitet dhe triumf i të drejtave të njeriut”, tha Kurti.
Sipas kryeministrit, “Kosova është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s me partnerët. Ky përparim është theksuar nga një numër organizatash… Rritja jonë ndahet me pakicat, e zbatojmë Kushtetutën me masat më të larta të mbrojtjes së pakicave. 20 ulëse në Parlament janë të rezervuara për pakicat, 10 prej tyre për serbët, për respektimin e gjithë popullatës në Kosovë. Serbët kanë 10 nga 38 komuna”, tha tutje Kurti duke shtuar se „. „gjuha serbe është gjuhë zyrtare kudo”. Kurti foli edhe për ndarjen e shumë granteve për komunat me shumicë serbe dhe shtoi se „Serbia po bën spastrim etnike ndaj shqiptarëve etnikë në Luginë të Preshevës“.
“Të fokusohemi tek trajtimi nga Serbia i shqiptarëve etnikë atje sot. Fushata e spastrimit etnik që bëhet në mënyrë administrative, qeveria serbe sistematikisht i ka hequr mbi 4.200 shqiptarë etnikë nga regjistri civil në Medvegj dhe mbi 2000 në Bujanoc”.
“Kjo lloj fushate është me qëllim të depopullimit të shqiptarëve. Nuk janë shënjestra e vetme e regjimit autoritar serb”, ka thënë Kurti. Sipas tij „Rregullorja e Bankes Qendrore të Kosovës nuk ia ndalon Qeverisë serbe që të ofrojë mbështetje financiare për serbët në Kosovë.“ “Çdo sugjerim tjetër, nuk është asgjë tjetër pos propagandë e rreme që ka për synim të nxisë tensione etnike”, tha Kurti.
Sipas Kryeministrit, Rregullorja synon që të ofrojë transparencë dhe ligjshmëri sa i përket importit të parave në Kosovë, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe politikës monetare të Bashkimit Evropian.
Kryeministri Kurti në seancën e KS të OKB-së tha se „qëllimi i vërtetë i Serbisë, që ngriti alarmin për vendimin e BQK-së, që përjashton dinarin serb nga përdorimi, është se po ndalet financimi i kriminelëve në veri të vendit nga Beogradi“. Serbpët nuk janë shqetësimi i Serbisë, qytetarët serbë kërcënohen nga këto grupe të armatosura serbe. Ata që nuk i bindën kanë vetura të djegura dhe i kërcënojnë familjarët.
“Kjo duhet të ndalohet. Beogradi nuk mund të lejohet pa fund të financojë terroristët e kriminelët e vet në Kosovë me rrjedha të tilla të adeklaruara dhe të paligjshme në Kosovë. Ky është burimi i vërtetë i histerisë së Serbisë për Rregulloren e BQK-së. Beogradi ka thirrur alarmin jo për këmbimin e dinarit me euron, por sepse po ndalojmë thasë me para në kufij. Dhe ata ankohen jo për shkak të brengës për qytetarët serbë, por sepse ato tubacione të parave në veri të Kosovës po ndalen… Ne kemi një mbështetje të gjerë nga partnerët ndërkombëtarë, nga aleatët në luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. BQK dhe rregulloret e saj janë po aq esenciale për atë luftë”.
Kurti nuk harroi të përmendë edhe funksionin e presidentit serb Vuçiq në kohën e pushtetit të kriminelit të luftës Sllobodan Millosheviq. “Nuk jemi të befasuar që Serbia do të krijonte probleme nga procedurat demokratike që prej përfundimit të luftës, qeveria serbe e udhëhequr nga shumë njerëz që kanë mbajtur pozita të larta edhe në pushtetin e Millosheviqit, duke përfshirë zotërin Vuçiq si ministër i propagandës së Millosheviqit, ka shfrytëzuar çdo lloj fuqie e imagjinate për të gjetur mënyra të reja për të terrorizuar qytetarët. Serbia është ajo që ka bërë krime dhe gjenocid në Srebrenicë dhe Kosovë”.
Ndëra për dinarin tha se “dinari nuk është ndaluar në Kosovë. Qytetarët e Kosovës mund të kenë dinarë, por euroja është valuta e vetme, sa i përket pagesës. Shekullin e kaluar ne kemi pasur dinarin si mjet pagese, kur ne ishim nën pushtim”, tha Kurti.
Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti theksoi se Serbia duhet të ndalojë së “fantazuari” se Kosova po kërkon hakmarrje për vrasjet dhe krimet e kryera gjatë luftës së fundit në Kosovës.
“19 shtete u bënë bashkë për të bombarduar një shtet tjetër evropian. Do të ketë qenë shumë keq apo jo? Ndërhyrja e NATO-s shpëtoi popullin tim, Millosheviqi vdiq në Hagë pa marrë dënimin. Duhet të jeni në vendin tim se në ’99-n sa e rëndë ishte situata. Katastrofë humanitare. Nuk do të hakmerrem, unë dua drejtësi“, tha Kurti.
“Ne nuk do të hakmerremi. Duam drejtësi e jo hakmarrje. Në mënyrë që të kemi paqe, duam raporte normale. Ata duhet të ndalen së fantazuari se ne po kërkojmë hakmarrje. Unë si kryeministër iu garantoj se nuk po kërkojmë hakmarrje”, tha ai.
Pas këtij fjalimi, Vuçiq u dëgjua duke kërkuar fjalën dhe duke thënë se “do të ketë drejtësi për njerëzit tanë”. Por kryesuesja e mbledhjes, nuk ia dha fjalën liderit serb dhe e shpalli të mbyllur seancën.