Parlamenti Evropian miratoi sot një rezolutë për zgjedhjet në Serbi, ku kërkohet hetimi i pavarur ndërkombëtar për të gjitha parregullsitë e raportuara në zgjedhjet parlamentare dhe lokale të mbajtura më 17 dhjetor 2023.
Në këtë rezolutë kërkohet që të pezullohen fondet evropiane nëse dëshmohet se autoritete e Beogradit ishin të përfshirë në manipulimin e rezultateve zgjedhore.
Parlamenti Evropian kërkoi gjithashtu që negociatat për anëtarësimin e Serbisë në BE të mos vazhdojnë pa reforma adekuate përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me procesin zgjedhor.
Në tekstin e rezolutës dënohet mungesa e pluralizmit politik gjatë procesit zgjedhor, favorizimi i partisë në pushtet nga ana e mediave si dhe fushatat e dezinformimit, ku përveç mediave pro-qeveritare në Serbi, ishin përfshirë edhe struktura të Rusisë.