Edhe sivjet mbahet manifestimi „Shijo Kosovën“

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njoftoi se edhe këtë vit do të organizohet manifestimi “Shijo Kosovën”, ku do të ofrohen aktivitete të shumta për diasporën gjatë verës në Kosovë.

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla së bashku me zëvendësministren Liza Gashi, takuan sot përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, me të cilët kanë bashkëbiseduar për avancimin dhe fuqizimin e platformës kombëtare “Shijo Kosovën”, përvojat nga viti i kaluar, sfidat dhe mundësitë e bashkëpunimit për aktivitetet e këtij viti.

Cani Travel

Ministrja Gërvalla në fjalën e saj e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm bashkëpunimin të cilin e ka vendosur Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me organizatat joqeveritare në vend, veçanërisht në fuqizimin e platformës “Shijo Kosovën” e cila ka për qëllim të krijojë një lidhje më të fuqishme mes diasporës dhe Kosovës, duke u ofruar atyre mundësinë për të njohur vendin e tyre në shumë dimensione.

Ndër të tjera, gjatë takimit u diskutua edhe për mënyrat e informimit, rrjetëzimit dhe angazhimit të diasporës. Me këtë rast, zëvendësministrja Gashi gjatë takimit shpalosi idetë rreth planit për vitin 2024 sa i përket platformës si dhe hapat që po ndërmerren në bashkëpunim me të gjithë akterët relevant për të forcuar lidhjen e shtetit me diasporën. Ajo ftoi përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që të jenë pjesë e hartimit të projekteve dhe programeve atraktive përmes të cilave ndërlidhim diasporën me vendin.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e organizatave joqeveritare e kanë vlerësuar si shumë të rëndësishëm këtë bashkëpunim i cili mundëson që organizatat të jenë më aktive në zbatimin e programit dhe po ashtu edhe në propozimin e ideve që përfshihen në platformën “Shijo Kosovën”, të cilat mund të jenë atraktive për qytetarët tanë si në Kosovë edhe në diasporë.