Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama thotë se „Procesi i njohjes së patentave shqiptare në Gjermani është në fazën e fundit të miratimit“
Kryeministri Edi Rama pohon se „njohja e patentave shqiptare në Gjermani është në fazën e fundit të miratimit në Bundesrat“, që është dhoma e përfaqësuesve të landeve në Parlamentin gjerman. Miratimi në Bundesrat është e domosdoshëm për t’u futur në fuqi marrëveshja, e cila është përgatitur që në muajt e verës. Pala shqiptare, por edhe ajo e Kosovës, sipas njohurive të Diaspora Today, janë dakorduar me këtë dokument, por me këtë duhet të dakordohen edhe landet.
Kryeministri Rama i ka bërë të ditur detajet për „fazën përfundimtare të miratimit në Bundesrat“, në një koment në lidhje me shërbimet në Drejtorinë e Transporteve në Shqipëri. Ai thotë se „kjo arritje nuk do ishte e mundur në rast se ky institucion (pra Drejtoria) do të ishte i mbytur nga korrupsioni dhe injoranca“, siç pretendon një lexues.
Edi Rama thotë se procesi i njohjeve është në fazën përfundimtare, por nuk tha se kur mund të ndodhë kjo. Sipas njohurive tona, ky proces është dashur të përfundojë vitin e kaluar, por ka pasur vërejtje ndaj zhvillimeve në Shqipëri e Kosovë. Ndërsa gjatë këtij viti janë mbajtur edhe disa takime të grupeve të punës, ku qëndrimet për njohjen e diplomave janë afruar. Por i gjithë procesi duhet të kalojë dhe të miratohet edhe në Bundesrat, pra tek krerët e landeve në Gjermani.
Ja dhe komunikimi mes tyre:
Komentuesi: Me mire te ishin te shkaterruara nga jashte dhe te forta nga brenda, sesa keshtu, ku u beni ambjente luksoze, por te mbyt korrupsioni, injoranca, militantizmi e nepotizmi. Gjithsesi ti vazhdo tu japesh ushqim shpirteror kokebosheve qe te ndjekin. Ne fund te fundit nuk ke shume faj. Ata qe te kane vene dhe mbajne aty ku je, keshtu ta kerkojne ta luash pjesen.
Edi Rama: Kush merr sherbime sot ne institucionet e Drejtorise se Transporteve e di mire se nuk te mbyt as korrupsioni, as injoranca, sepse sherbimet kalojne permes sistemeve digjitale qe nuk njohin as militante as kusherinj! Dhe kaq e vertete eshte kjo, sa qe e provon fakti qe procesi i njohjes se patentave shqiptare ne Gjermani, gje qe as nuk mendohej dot deri disa vite me pare, sot eshte ne fazen e fundit te miratimit ne Bundesrat, dhoma e landeve te Gjermanise! Sharjet e perqeshjet nuk jane argumenta.
Këtu e keni edhe linkun e bisedës së tij me komentuesit në Facebook:
https://www.facebook.com/ediramaal/posts/418686832960317