Edi Rama sot në Kosovë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama fillon sot një turne dyditor ballkanik në përgatitje të Samitit të radhës në kuadër të Procesit të Berlinit që do të mbahet në muajin tetor në Tiranë. Së pari, ai do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, ku takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski.

Gjatë ditës së sotme, Rama do të qëndrojë edhe në Kosovë, ku do të bisedojë me presidenten e vendit, Vjosa Osmanin dhe kryetarin e Parlamentit, Glauk Konjufcën. Takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin nuk është konfirmuar ende, sepse Kurti kushtëzoi që takimi mes tyre të ndodhë vetëm në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive.

Cani Travel

Albin Kurti deklaroi dje se Rama mund të takohet me të vetëm në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, të cilën e anuloi një muaj më parë, për shkak të qasjes së Kurtit ndaj kërkesave të ndërkombëtarëve për veriun.

Edi Rama vazhdon nesër turneun me vizita në Bosnjë dhe Hercegovinë, Mal të  Zi dhe Serbi. Në fund të turneut, ai takohet nesër në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me të cilin do të ketë edhe një darkë pune.