Prokuroria Federale e Gjermanisë ka zbuluar një celulë terroriste islamike në landin Renania Veriore-Vestfalia dhe ka arrestuar shtatë të dyshuar. Të arrestuarit akuzohen se kanë themeluar një organizatë terroriste dhe kanë planifikuar sulme në Gjermani. Siç bëhet e ditur, personat e arrestuar në Gjermani janë nga Taxhikistani, Kirgizia dhe Turkmenistani.
Po ashtu, njoftohet se një burrë tjetër dhe gruaja e tij janë arrestuar nga autoritetet holandeze. Dyshohet se burri i përkiste këtij grupi.
Prokurorët thanë se të dyshuarit kanë hyrë në Gjermani pak kohë pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe synonin “të kryenin sulme terroriste të nivelit të lartë në Gjermani, përmes taktikave që përdor IS-i ”.
Të arrestuarit do të dalin sot ose nesër para gjykatësit hetues të Gjykatës Federale të Drejtësisë në Karlsruhe.