Në Berlin po mbahet samiti i Procesit të Berlinit, pas një kohe të gjatë ndërprerjeje. Kancelari gjerman Olaf Scholz ka ftuar liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku pritet të nënshkruhen edhe disa marrëveshje shumë të rëndësishme për lirinë e lëvizjes vetëm me karta identiteti, njohjen e diplomave dhe kualifimeve profesionale. E në këtë samit pritet zyrtarisht edhe heqja e regjimit të vizave mes Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë samit, krahas liderëve të Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesve të disa vendeve evropiane, prezent janë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministrja e Serbisë Ana Brnabiq….
Në prag të samitit kancelari Scholz takoi edhe kryeministrin e Kosovës Albin Kurti, me të cilin me siguri që do të bisedojë edhe për zhvillimet e fundit në Kosovë si dhe procesin e dialogut me Serbinë.
Një prej temave me siguri që do të jetë edhe çështja e targave, sepse qeveria e Kosovës ka filluar të zbatojë vendimin për ndërrimin e targave. E temë tjetër do të jetë edhe propozimi gjermano-francez për një marrëveshjeje që synohet të arrihet shpejt në dialogun me Serbinë. Kryeministri Kurti në Berlin do të ketë mundësi që me kancelarin gjerman, Olaf Scholz të diskutojë edhe për idetë e Kosovës rreth këtyre çështjeve. Përshtypjet dhe propozimet e Kosovës rreth kësaj çështjeje paraprakisht i janë dërguar me shkrim edhe presidentit të Francës, Emmanuel Macron.
Presisdenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nuk ka shkuar në Berlin, por e ka dërguar kryeministren Ana Brnabiq, që tregon se ai nuk mendon se në Berlin ka mundur të ketë ndonjë përparim serioz në procesin e zgjidhjes së problemeve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjermania ka kërkuar së fundi shumë qartë që Serbia të njohë Kosovën si shtet dhe të përcaktohet nëse do të bashkëpunojë me Rusinë apo me BE.