Germin: „Si mund të bashkë-krijojmë?“ – konferencë e krerëve të shtetit me përfaqësuesit e mërgatës

Prej 18 deri më 20 maj 2023, në Prishtinë mbahet edicioni i tretë i  konferencës më të madhe të  diasporës shqiptare “Diaspora Flet”, në organizimin e organizatës joqeveritare GERMIN. Kjo organizatë është përkushtuar për të krijuar një ekosistem të gjallë dhe të qëndrueshëm të angazhimit të diasporës dhe konferenca ‘Diaspora Flet’ është ngjarja kryesore që demonstron përkushtimin e saj për arritjen e këtij qëllimi.

Tema kryesore e takimit të sivjetmë është “Si mund të bashkë-krijojmë”, e konferenca do të ofrojë një hapësirë për diskutime, prezantime dhe shkëmbime me qëllim të ndikimit në zhvillimin e vendeve amë.

Cani Travel

Synimi i organizatorëve është eksplorimi dhe nxitja e mënyrave të bashkë-krijimit që ndikojnë pozitivisht në bashkëpunimin ndërkombëtar, kontribuojnë në komunitetet e diasporës dhe bëjnë ndryshime domethënëse në vendet e origjinës. Si edhe në dy edicione paraprake të suksesshme të vitit 2018 dhe 2020, edhe sivjet në konferencë do të marrin pjesë qindra profesionistë dhe politikë-bërës si gërshetim i diasporës me vendet amë, për të diskutuar, prezentuar dhe shkëmbyer informata, përvoja dhe ide në funksion të bashkë-krijimit për shtetet tona.

Siç pritet, në konferncën e GERMIN do të ketë mbi 400 pjesëmarrës. Konferencës do t’i drejtohet edhe presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, si dhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz, e ndër të ftuarit janë edhe presdienti i Shqipërisë Begaj dhe shumë personalitete të tjera.

Ndërsa nga vendet e jashtme të ftuar janë edhe filantropi dhe biznisemeni i njohur Lazim Destani, kryetari i Unionit të Bizneseve Shqiptare-Gjermane Nazmi Viqa, gazetari i njohur nga Gjermania, redaktori dhe moderatori i Deutsche Welles, Bahri Cani, drejtoresha e Global Woman Magazine dhe Global Woman Club, Mirela Sula, si dhe ekspertë dhe përfaqësues të shumë të organizatave dhe shoqatave të ndryshme nga vende të ndryshme jashtë Kosovës.