Ushtria gjermane ka filluar të transportojë disa pacientë të sëmurë rëndë nga Covid-19, nga Rumania në Gjermani për trajtim. Në bord të avionit janë edhe rreth 20 mjekë që kujdesen për pacientët, sepse të gjithë pacientët që transportohen në Gjermani kanë nevojë për intubim. Më parë Gjermania vitin e kaluar ka marrë pacientë edhe nga Italia, në kohën kur atje ishte një gjendje tepër e rëndë.
E gjitha kjo dëshmon se Rumania po përballet me kushte katastrofike me të sëmurit nga Covid-19. Kohët e fundit në këtë vend ka një incidencë prej më shumë se 1.000 të infektuar në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh. Në Rumani është vaksinuar më pak se një e treta e popullsisë. Ndërsa sistemi shëndetësor në Rumani është në gjendje tepër të rëndë dhe i mbingarkuar.
Gjendja tepër e rëndë edhe në Bullgari dhe Letoni
Nga Letonia raportohen shifra tepër të larta të rasteve të sëmundjes Covid-19. Incidenca e fundit ishte 1.745 në 100.000 banorë brenda shtatë ditësh. Shkalla e vaksinimit në këtë vend është rreth 59 përqind e të rriturve, që është nën mesataren e BE-së, prej rreth 75 përqind.
Ndërsa në Bullgari në 24 orët e fundit kanë vdekur 310 persona nga virusi Corona, që është numri më i lartë i viktimave në 24 orë prej fillimit të pandemisë. 93.87% e personave të vdekur nuk kanë qenë të vaksinuar. Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga COVID-19 në Bullgari ka shkuar në 24.309. Autoritetet bullgare thonë se mbi 90% e të shtruarve në spitale nuk janë vaksinuar.
Për momentin në Bullgari ka mbi 102.000 raste aktive. Ndërsa numri total i të infektuarve të regjistruar që nga fillimi i pandemisë tashmë i kalon 608.000. Bullgaria zë vendin e fundit në BE për nga numri i të vaksinuarve.