Corona: 63 të vdekur në Serbi brenda një dite

Serbia si „kampionja“ e dikurshme në vaksinim, të paktën sa i përket marketingut dhe propagandës së qeverisë së Aleksandar Vuçiqit, është shndërruar së fundi në një prej vendeve me vdekshmërinë më të lartë nga virusi Corona.

Vetëm në 24 orët e fundit në Serbi kanë vdekur 63 persona. Shifra të ngjashme të vdekshmërisë janë shënuar ditë me radhë në Serbi, njofton Diaspora Today.

Cani Travel

Prej muajit mars të vitit 2020 në Serbi kanë humbur jetën nga virusi Corona, apo nga sëmundjet që kanë lidhje me virusin Corona, mbi 10.000 persona.

Ndërsa në 24 orët e fundit, siç njoftojnë autoritetet në Beograd, janë testuar 19.952 persona. 5.896 prej tyre kanër rezultuar pozitiv ndaj virusit Corona, që i bie më shumë se 25%.

Në spitalet e Serbisë janë të shtrirë 6.760 pacientë, prej tyre 290 po trajtohen në respiratorë. Ndërkohë që kohët e fundit është shtuar dukshëm rezistenca ndaj vaksinimeve dhe përkundër faktit që Serbia ka në përdorim vaksina nga vendet evropiane, SHBA, Rusia dhe Kina, në këtë vend nuk janë vaksinuar as gjysma e popullatës.

Serbia është shpallur në Gjermani vend me rrezikshmëri të lartë, sikur edhe Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Kosova nuk është në këtë listë.