Moti i ftohtë me borë dhe shi në mbarë Gjermaninë ka shkaktuar sot anulimin e qindra fluturimeve dhe linjave të transportit me trena, si dhe mbylljen e shkollave.
Në aeroportin e Frankfurtit – që është aeroporti më i madh në Gjermani – mbi 500 fluturime janë anuluar. Ndërkaq, në Munih mbi 250 fluturime që pritej të ateronin dhe të niseshin, po ashtu u anuluan.
Aeroporti Saarbruecken në perëndim të Gjermanisë u mbyll, kurse në aeroportet në Dyseldorf dhe Këln, po ashtu ka vonesa dhe anulime të fluturimeve.
Janë anuluar edhe disa udhëtime me tren në distancë të gjatë, kurse maksimumi i shpejtësisë së trenave të shpejtë do të kufizohet deri në 200 kilometra në orë për shkak të motit ekstrem.
Shumë shkolla dhe çerdhe në vend janë mbyllur, kurse punonjësit në kompani të shumta kanë mundësi të punojnë nga shtëpia.