Patrick Graichen, Sekretari i Shtetit për Energjinë në Ministrinë Gjermane të Ekonomisë dha dje (17.05.2023) dorëheqjen për shkak të akuzave për nepotizëm. Bashkëpunëtori i ngushtë i ministrit të Ekonomisë, Robert Habeck, ishte në shënjeshtër të kritikave për shkak se mori pjesë në përzgjedhjen e një kandidati për kreun e Agjencisë Gjermane të Energjisë (Dena), i cili ishte ish-politikani i Gjelbër nga Berlini, Michael Schäfer, edhe dëshmitar martese i Graichen. Sekretari i Shtetit nuk e zbuloi këtë detaj në fillim.
Ministri i Ekonomisë, Habeck njoftoi se Graichen po pensionohet para kohe, gjë që, siç tha ai, u vendos në një bisedë të përbashkët. Ministri foli edhe për parregullsi të tjera. „Njerëzit bëjnë gabime,“ tha Habeck, duke shtuar se „këtu kanë ndodhur tepër gjëra“. Një pasardhës duhet gjetur sa më shpejt që të jetë e mundur, më së miri para pushimit veror parlamentar. Ministri tha se këtu është fjala për „mbrojtjen e besimit në punën e kësaj shtëpie si institucion” dhe për „ruajtjen e aftësisë për të vepruar politikisht”.