Gjermani: Frikë nga sulmi terrorist në Katedralen e Këlnit

Autoritetet gjermane të sigurisë po bëjnë hetime dhe kontrollime lidhur me një sulm të mundshëm terrorist në Katedralen e Këlnit. Mbrëmë është arrestuar një person që dyshohet se mund të jetë i lidhur me sulmin e planifikuar ndaj këtij objekti fetar në natën e Vitit të Ri.

„Megjithëse informacioni ka të bëjë me natën e Vitit të Ri, ne do të kujdesemi për sigurinë e vizitorëve të katedrales në prag të Krishtlindjeve nga sonte„, tha shefi i policisë së Këlnit, Michael Esher.

Cani Travel

Policia njoftoi se sonte, në natën e Krishtlindjeve, të gjithë vizitorët do të kontrollohen përpara se të hyjnë në Katedralen e Këlnit. Besimtarët këshillohen që të mbërrijnë herët dhe të mos kenë çanta me vete.

Në të njëjtën kohë, frikën nga një sulm terrorist kanë shprehur edhe shërbimet e sigurisë së Austrisë, Spanjës dhe Francës, me rrezik të shtuar në natën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri. Objektivat mund të jenë kishat në Këln, Vjenë dhe Madrid. Shërbimet e sigurisë në Danimarkë dhe Holandë janë gjithashtu në alarm.