Prej datës 7 dhjetor në Gjermani të gjithë personat e sëmurë mund të marrin përmes telefonit një vërtetim nga mjeku për pushim mjekësor. Fjala është, pra, për vërtetimin që në gjermanisht quhet ‚Krankmeldung‘ apo ‚Krankschreibung‘.
Kështu kanë vendosur në Berlin Komisioni i përbërë nga Shoqata e mjekëve, përfaqësuesit e siguracioneve dhe klinikave. Kjo do të thotë konkretisht se në të ardhmen nuk keni nevojë të shkoni te mjeku i shtëpisë për të marrë një vërtetim se jeni sëmurë, por këtë thjesht mund ta bëni me telefon.
Është me rëndësi të dihet se këtë vërtetim mund ta merrni vetëm tek mjeku juaj personal, pra mjeku i shtëpisë, sepse ekziston frika nga keqpërdorimet. Mjeku mund të kërkojë gjithashtu që të kontatakoni edhe përmes videos, për të parë gjendjen tuaj.
Vërtetimi për pushim mjekësor përmes telefonit mund të jepet maksimalisht për një kohëzgjatje prej vetëm pesë ditë dhe për sëmundje me simptoma më të lehta.
Leja e mjekut përmes telefonit është futur për herë të parë në kohën e pandemisë Corona, për të evituar infektimet e mundshme. Mirëpo, tani është vendosur që ky rregull të vlejë përgjithmonë, por vetëm për pushime mjekësore me një afat të shkurtër kohor dhe për sëmundje më të lehta.