Bartësi i listës “Lufta politike e shqiptarëve vazhdon”, Shaip Kamberi, ka thënë se qëllimi i kësaj liste është që një apo dy deputetë, varësisht nga rezultatet e zgjedhjeve, të “ngrenë zërin” në Kuvendin e Serbisë dhe të vënë në dukje diskriminimi ndaj shqiptarëve në Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Shaip Kamberi foli në Radio Televizionin e Serbisë për gjendjen në Luginën e Preshevës dhe aspiratat e listës së tij në zgjedhjet paralmentare në Serbi që mbahen më 17.dhjetor 2023.
“Nëse parimi kushtetues është që shërbimet publike, institucionet shtetërore, madje edhe policia, duhet të pasqyrojnë strukturën e popullsisë në një komunë, veçanërisht kur bëhet fjalë për komunat multietnike, dhe situata në terren është krejtësisht ndryshe, atëherë shkelet e drejta themelore e pakicës për pjesëmarrje në procesin e vendimmarrjes në institucionet e rëndësishme, të cilat vendosin për të drejtat e tyre”, tha Kamberi.
Ai ka deklaruar se diskriminimi praktikohet edhe në të drejtën e punësimit, sepse për 15 vjet nuk njihen diplomat nga Kosova, edhe pse për atë çështje ka tri marrëveshje, prandaj të rinjtë tha se po largohen nga ato rajone.
Sipas tij, Bujanoci, Presheva dhe Medvegja janë komunat me të ardhura më të ulëta, me shkallë më të lartë të papunësisë dhe pa investime konkrete në hapjen e vendeve të reja të punës.
Duke komentuar pohimin e gazetarit se „Kosova sipas Kushtetutës është pjesë përbërëse e Serbisë“, Kamberi pyeti “A është?”.
“Nëse është, a mund të shkojë presidenti i Serbisë në Kosovë pa miratimin e autoriteteve në Kosovë? A mundet kryeministri të shkelë në Kosovë pa lejen e autoriteteve në Kosovë? Kë po e gënjejmë?”, tha Kamberi.