Gjermania dëbon 6.200 azilkërkues në gjashtë muaj

Maqedonia e Veriut me 454 të dëbuar, Shqipëria me 402 dhe Gjeorgjia me 397 ishin vendet ku janë dëbuar më së shumti refugjatë që nuk kanë përmbushur kushtet për njohje të azilit.

Njëjkohësisht janë larguar nga vendi edhe 1.826 azilkërkues, sipas Rregullores së Dublinit. Këta persona janë larguar në vende të tjera të BE, ku janë paraqitur për herë të parë dhe kanë kërkuar azil, bën të ditur Diaspora Today.

Cani Travel

Sa i përket kostove të largimit, autoritetet gjermane bëjnë të ditur se ato kanë shpenzuar rreth 580.000 euro për fluturimet dhe largimin e azilkërkuesve të refuzuar.

Në gjysmën e parë të vitit 2022, autoritetet gjetrmane kanë larguar nga vendi 6.198 të huaj, shkruan agjensia gjermane e lajmeve DPA. Këto të dhëna janë publikuar nga qeveria gjermane, si përgjigje ndaj një pyetje të grupit parlamentar i Partisë e Majta në Bundestag.

Në përgjigje thuhet se autoritetet kanë dëbuar gjithsej 35 persona në njëmbëdhjetë “mini fluturime çarter” në gjashtë muajt e fundit, disa prej tyre drejt vendeve të tjera të BE-së.

Fluturimet me maksimum katër të huaj të cilëve u kërkohet të largohen nga vendi quhen mini-çarter. Kostoja e fluturimeve të tilla në periudhën janar-qershor ishte gjithsej 580.000 euro. Ndërkohë që riatdhesimet e tjera nuk përfshihen në këto kosto.

Sa për krahasim: Në vitin 2020 në tërësi, qeveria gjermane ka organizuar 21 mini-fluturime çarter për 39 azilkërkues të refuzuar, bëjnë të ditur burimet gjermane të informimit.

Në raste individuale, shpenzimet për këto fluturime deportimi arrinin në mbi 100 mijë euro për një ose dy persona që ishin të detyruar të largoheshin nga vendi.

Grupi Parlamentar e Majta ka kritikuar praktikën e mini-fluturimeve çarter me shpjegimin se „është e habitshme se çfarë burimesh janë të gatshme të përdorin qeveria federale dhe ato të landeve, për t’i larguar njerëzit nga vendi”, thotë zëdhënësja e të majtës, përgjegjëse për refugjatët, Clara Bünger.

Ministria e Brendshme gjermane ka bërë të ditur për mediat gjermane se marrëveshja e koalicionit parashikon një “ofensivë riatdhesimi për të zbatuar në mënyrë më të vazhdueshme detyrimin për t’u larguar nga vendi”.

Sipas kësaj, parashikohen rregullore për të lehtësuar identifikimin e kriminelëve dhe personave të rrezikshëm. Aktualisht janë duke u shqyrtuar ndryshime të mëtejshme në ligj.