Qeveria e Gjermanisë planifikon të lehtësojë rregullat për marrjen e shtetësisë. Kancelari gjerman OIaf Scholz tha në një videomesazhi, më 26 nëntor, se Gjermania është bërë prej kohësh “vendi i shpresës” për shumë njerëz dhe është shumë mirë kur njerëzit që kanë vendosur rrënjë në vend vendosin të marrin nënshtetësinë. Ai shtoi se „Gjermania ka nevojë për rregulla më të mira për natyralizimin e këtyrë njerë”.
Ministria e Brendshme njoftoi ditë më parë se projektligji i shtetësisë është “pothuajse gati”. Me këtë projektligj parashikohet që njerëzit të kenë të drejtë të marrin nënshtetësinë gjermane pas pesë vjetësh qëndrimi në Gjermani, ose tre në rast të “arritjeve të veçanta të integrimit. Deri tani, ishte e nevojshme të jetoni së paku 8 vjet në Gjermani me dokumente të rregulltapër të marrë pasaportën gjermane. Me ligjin e ri, nënshtetësia gjermane mund të merret madje edhe pas tri vjetësh në disa raste të veçanta, të integrimit të mirë në shoqëri e punë, e do të shpërblehet edhe angazhimi vullnetar. Fëmijët e lindur në Gjermani do të bëhen automatikisht shtetas nëse njëri prind ka qenë rezident i ligjshëm për pesë vjet, njofton Diaspora Today.
Qeveria gjithashtu dëshiron të heqë kufizimet për mbajtjen e shtetësisë së dyfishtë. Deri tani, njerëzit nga vende të tjera përveç anëtarëve të Bashkimit Evropian dhe Zvicrës, duhej të heqin dorë nga shtetësia e tyre e mëparshme kur të fitojnë shtetësinë gjermane, megjithëse kishte disa përjashtime.Ky rregull pritet të hiqet me ligjin e ri.
Përpjekjet e qeverisë për ndryshimin e ligjit mbi shtetësinë kanë shkaktuar tashmë shumë reagime në Gjermani dhe po kritikohen nga opozita konservatore dhe një pjesë e opinionit publik. Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” e kritikoi projektligjin dhe e quajti madje “zhvlerësim të shtetësisë gjermane” dhe “mospërfillje të interesave gjermane”.