Gjermania është në rënie ekonomike

Kompanitë gjermane kanë ulur prodhimin e tyre befasisht shumë në qershor. Industria, ndërtimi dhe furnizuesit e energjisë së bashku prodhuan 1,5 për qind më pak se një muaj më parë, bëri të ditur të hënën (07.08.2023) Zyra Federale e Statistikave. Ekonomistët e anketuar nga agjencia e lajmeve Reuters kanë pritur një minus prej vetëm 0.5 për qind. Në maj pati një rënie prej 0.1 për qind. „Disponimi i keq midis kompanive tregon një letargji të vazhdueshme,“ tha kryeekonomisti Alexander Krüger nga Hauck Aufhäuser Lampe Privatbank.

„Më e shumta që mund të pritet në tremujorin aktual është një rritje e vogël e prodhimit.“ Kryeekonomisti i Commerzbank Jörg Krämer shpjegon: „Ekonomia gjermane do të shënojë rënie edhe në gjysmën e dytë të vitit.“

Cani Travel

Industria ka prodhuar rreth 1,3 për qind më pak në qershor sesa një muaj më parë. „Pavarësisht rritjes së fundit të kërkesave, perspektiva për aktivitetin industrial mbetet e zymtë, sepse u ndikua shumë nga mungesa e porosive të mëdha”, komentoi Ministria e Ekonomisë zhvillimet e fundit. „Për shkak të pritjeve më të vogla të biznesit dhe eksportit të kompanive, një rimëkëmbje e dukshme nuk është ende në horizont.“

Specialisti i Commerzbank Krämer theksoi: „Minusi në qershor një sinjal paraprak për shifrat e dobëta të prodhimit që do të shfaqen në muajt e ardhshëm.“ Sepse tendenca e porosive ka kohë që është në rënie. „Përveç kësaj, sipas sondazheve, kompanitë kanë përpunuar tashmë porositë që kanë mbetur nga koha e Coronës”.

Industria e dëmtuar është rikuperuar pak kohët e fundit pas porosive çuditërisht të mëdha – ndër tjera edhe për shkak të porosive të mëdha nga industria e hapësirës ajrore. Në qershor, porositë u rritën me 7,0 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm, që është rritja më e madhe në tre vjetët e fundit. Në maj ka pasur një rritje jashtëzakonisht të lartë me 6.2 për qind, ndërsa tani rritja është edhe më e madhe.

Megjithatë, treguesit kryesorë si klima e biznesit Ifo, tregojnë se ekonomia gjermane, e cila dikur shënonte rritje për vite të tëra, ende është në rënie. Industria e ndërtimit – e cila po vuan nga normat e larta të interesit dhe rënia e porosive të reja për ndërtim – raportoi një rënie të prodhimit prej 2,8 për qind në qershor. Nga ana tjetër, furnizuesit e energjisë kanë prodhuar 0,6 për qind më shumë se një muaj më parë.

Barometri mujor i firmës konsulente Sentix për pritjet ekonomike të agjentëve të aksioneve në Eurozonë ishte pak më i mirë në gusht, pas tre rënieve. Nga ana tjetër, indeksi për Gjermaninë ra për të katërtin muaj radhazi dhe tani është në vlerën më të ulët që nga tetori i vitit 2022. „Ekonomia më e madhe po shndërrohet në njeriun e sëmurë të Eurozonës dhe po bëhet një barrë në rajon”, shpjegoi Sentix. Ekonomia e këtushme duket se ka një frenim të plotë për momentin.

(DW)