Gjermania vuan që një kohë të gjatë nga mungesa e punëtorëve të kualifikuar. Në luftë kundër këtij problemi, ekspertja për ekonomi, Monika Schnitzer angazhohet për imigrim shumë më të madh të forcave punëtore në vend.
Schnitzer, e cila është kryetarja e Këshilli të Ekspertëve Ekonomik të Qeverisë Federale tha se “Gjermania ka nevojë për 1.5 milionë emigrantë në vit nëse dëshiron të ruajë numrin e punëtorëve”.
Për të lehtësuar ardhjen e punëtorëve të huaj, kemi nevojë urgjentisht për një kulturë të mirëseardhjes, thotë ajo. “Për shembull, zyrat për të huajt nuk duhet t’i frikësojnë imigrantët, por të ofrojnë shërbim. Ne nuk duhet të kërkojmë që punëtorët e huaj të kualifikuar të flasin gjermanisht për çdo punë, por duhet të sigurojmë që punonjësit dhe autoritetet e zyrave për të huaj të flasin anglisht“, tha ekspertja gjermane për ekonomi, Monika Schnitzer.