Punëtorët në Gjermani nuk kanë qenë kurrë më të sëmurë sesa gjatë vitit 2023. Kështu thuhet në raportin e sipërmarrjeve të farmacive, sipas së cilave gjatë vitit 2023 është arritur numri rekord i punëtorëve që kanë qenë me raport të mjekut, pra në pushim mjekësor.
Çdo punëtor në Gjermani ka qenë me raport të mjekut, pra në pushim mjekësor gjatë vitit 2023 mesatarisht rreth 20 ditë, më saktësisht 19,4 ditë, që është dyfish më shumë sesa në vitin 2011, për shembull. Kjo do të thotë se sipërmarrjeve u mungonin mesatarisht çdo ditë rreth 5,5% e punëtorëve për shkak të sëmundjeve.
Problemet në veçanti janë shtuar pas pandemisë Corona. Sëmundjet më të shpeshta janë infektimet dhe ftohjet, bronhitis dhe gripa të ndryshëm, por edhe sëmundjet psikike, në radhë të parë depresionet.
Këto mungesa të punëtorëve kanë ndikuar dukshëm në rezultatet e këqija të ekonomisë. Ekspertët thonë se humbjet e ekonomisë për shkak të sëmundjeve të punëtorëve kanë qenë rreth 26 miliardë euro. Ndërsa shteti ka humbur rreth 15 miliardë euro të ardhura nga tatimet, për shkak të këtyre mungesave të punëtorëve.
Gjermania është futur në recesion gjatë vitit 2023 me rreth minus 0,3%, që do të thotë se ka pasur një rënie ekonomike. Por, po të mos ishin këto mungesa të punëtorëve, pra po të mos kishte kaq shumë punëtorë të sëmurë, Gjermania do të kishte shënuar një rritje ekonomike prej 0,5%. Kështu të paktën vlerësojnë ekspertët, ndonëse në zhvillimet ekonomike me siguri që ndikojnë edhe shumë faktorë të tjerë dhe gjëra nuk mund të maten kaq thjesht.