Qeveria gjermane ka përgatitur një pako të tretë ndihmash për lehtësimin e qytetarëve nga kriza aktuale. Pritet se pakoja do të miratohet nga mesi i shtatorit. “Jemi duke punuar për një konstrukt të ri lehtësimesh të mëdha”, tha kancelari Scholz të mërkurën (31.08.22) pas takimit këshillues mes tre partive të koalicionit. Ministri i Financave, Christian Lindner, i partise liberale, FDP, e quajti atë një „pako të fuqishme“ dhe gjithëpërfshirëse.
Mirëpo, kancelari dhe ministrat Lindner dhe Habeck (ministër i ekonomisë dhe energjisë), nuk dhanë hollësi për masat që do të përmbajë pakoja e tretë. Ajo që dihet është se nga 1. shtatori nuk vlejnë më biletat mujore të transportit publik prej vetëm 9 euro, siç ishte në qershor, korrik dhe gusht. Ministri federal i financave, Christian Lindner, tha se po shqyrtohet mundësia e financimit të një bilete të tillë me çmim të reduktuar, por kërkoi që një pjesë e biletës të financohej edhe nga landet.
Më 1 shtator skadon edhe subvencionimi i çmimit të karburantit. Por qytetarët do të lehtësohen me një ndihmë financiare me nga 300 euro për çdo person që është në marrëdhënie pune, duke përfshirë edhe punët si studentë ose punët me orar minimal (minijob). Shuma nga 300 euro do t’i nënshtrohet tatimit mbi të ardhurat dhe kur të arrin në kuletat e qytetarëve do të jetë rreth 142 euro.
Po ashtu, më 1 shtator hyn në fuqi rregullorja e re për kursimin e energjisë. Ajo parashikon ndër të tjera që dyqanet t’i mbajnë dyert e mbyllura, të mos ketë më reklama me drita pas orës 22:00, të hiqen projektorët ndriçues nga monumentet dhe ndërtesat e tjera të ngjashme. Gjithashtu është paraparë ulja e temperaturës në vendet e punës dhe ndërtesat publike. Përjashtime bëjnë spitalet, kopshtet, shkollat ose institucione të tjera.