Gjykata e Apelit në Hagë e ka dënuar Salih Mustafën me 22 vjet burg. Pra i ka ulur 4 vjet nga dënimi i shkallës së parë. Të gjitha ankesat e Salih Mustafës janë refuzuar, përveç faktit se trupi gjykues, sipas Apelit, ka tejkaluar kompetencat në lartësinë e dënimit.
Kjo duke mos marrë parasysh dënimet në Kosovë që kanë qenë për krime lufte. Andaj, bazuar në këtë, Apeli i ka ulur 4 vjet.
“Paneli i Apelit konstaton se analiza e trupit gjykues për legjislacionin shtetëror është e pamjaftueshme. Për këtë qëllim dhe lidhur me argumentin se dënimi është i lartë, Apeli ka analizuar jurisprudencën e ligjit të Kosovës, dhe dënimet atje. Dënimet nuk mund të zhvendosen lehtë nga një çështje në tjetrën. Paneli i Apelit konstaton se në rastet e Tribunalit të Hagës dhe gjykatat e Kosovës për krime lufte të krahasuar me rastin e Mustafës, dënimet e dhëna ishin më të shkurtra, ndonëse plotësisht i vetëdijshëm për diskrecionin, paneli konstaton se mospërputhja midis dënimit të z.Mustafa dhe dënimeve që analizoi paneli, tregon se trupi gjykues i tejkaloi kufinjtë e diskrecionit në këtë rast. Paneli i Apelit gjykon se duke dhënë z.Mustafa dënim jashtë proporcionit të arsyeshëm kohor me një varg dënimesh të ngjashme trupi gjykues ka kryer gabim të dallueshëm. Paneli i Apelit rrjedhimisht e gjykon të përshtatshme që dënimet individuale t’i ulë në dënime si vijon:
“8 vjet burg për pikën 1 për ndalim arbitrar. 20 vjet për burgim për pikën 3 për torturë dhe së treti 22 për pikën 4 të aktakuzës për vrasjen e paligjshme. Në përputhje me këtë Paneli duhet të përcaktojë në bazë të rregullës 163 duhet të pasqyrojë një dënim të njëhësuar. Në lidhje me këtë paneli gjykon se një dënim i njehsuar me 22 vjet burgim duke llogarit kohën e kaluar në paraburgim, pasqyron tërësinë e veprimtarisë kriminale të Mustafës”, tha gjyqtarja Pichard.