Përfundon afati për konvertimin e targave në Kosovë

Nga 16 dhjetori, qytetarët të cilët nuk i kanë regjistruar veturat në RKS-Republika e Kosovës, nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Kosovës me veturat që mbajnë targat me akronime serbe e që shteti i konsideron ilegale. Dita e sotme shënon ditën e fundit që të gjithë pronarët me targa si KM, PR, PZ, DE, UR e të tjera t’i kthejnë ato në targa të Republikës së Kosovës, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Nora Fetoshi, zëdhënëse në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

“Pas përfundimit të këtij afati, pra pas datës 15 dhjetor, qytetarët të cilët nuk i regjistrojnë veturat e tyre edhe pas vendimit të përcaktuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, do të llogariten si pronarë të veturave të paregjistruara dhe veturat e tyre nuk do të lejohen të qarkullojnë në territorin e Republikës së Kosovës, duke përfshirë këtu edhe pikëkalimet kufitare ashtu siç parasheh edhe legjislacioni në fuqi. Automjetet do të ndalohen nga Policia e trafikut rrugor dhe do të gjobiten për kundërvajtje në trafik dhe tabelat do t’i largohen automjetit, ndërsa nëse e njëjta vetura do të haset përsëri në qarkullim ajo veturë do të konfiskohet”, tha Fetoshi.

Cani Travel

Sipas Qeverisë së Kosovës, nga 1 nëntori deri më 14 dhjetor, 3.405 qytetarë kanë konvertuar targat e tyre në RKS dhe komunat me numrin më të madh janë Mitrovica e Veriut dhe Leposaviqi. “Ndërsa, nga tërë procesi prej vitit të kaluar janë gjithësej 4210 konvertime të tabelave”, bëri të ditur Fetoshi.