Greva e madhe – Gjermania para një kaosi të vërtetë

Gjermania nesër me 27 mars do të paralizohet nga greva e dy sindikatave: Verdi dhe EVG, të cilat përfaqësojnë më shumë se 230.000 punonjës. Gati në të gjithë vendin do të bllokohet qarkullimi ajror (përveç Berlinit), transporti hekurudhor në distanca të largëta, transporti publik lokal dhe rajonal në shumë qytete dhe lande, si dhe transporti ujor e rrugor. Në shumë vende pritet të mbyllen edhe tunelet dhe të bllokohen urat.

Kjo është greva më e madhe në Gjermani në 30 vitet e fundit dhe hera e parë që në një grevë bashkohen dy sindikata shumë të mëdha.

Cani Travel

Grevat në Gjermani lejohen me kushtetutë, por kjo grevë e dy sindikatave të mëdha do të paralizojë të gjithë vendin. Sindikatat Verdi dhe Sindikata e Hekurudhave dhe Transportit (EVG) kërkojnë rritjen e rrogave për shkak të inflacionit tepër të lartë. Verdi kërkon rritjen e rrogave prej 10,5% ose të paktën 500 euro në muaj. Ndërsa sindikata EVG kërkon rritjen e rrogave për punonjësit në hekurudha dhe transportin publik prej 12 %, ose të paktën 650 euro në muaj. Negociatat mes punëdhënësve dhe sindikatave do të vazhdojnë me 27 mars. Ndërsa sindikatat me këtë grevë duan ta shtojnë presionin ndaj punëdhënësve.

Greva do të fillojë të dielën në mesnatë dhe do të zgjatë deri të hënën në mesnatë, pra 24 orë. Pritet që gjendja të normalizohet të martën me 28 mars.

Grevat do të mbahen zyrtarisht në shtatë lande: Në Bavari, në landin Renania Veriore-Vestfalia, në Baden-Württemberg, Saksoni, Saksoni të Poshtme, Rhineland-Pfalz dhe Hesen. Por në masë të madhe do të bllokohen edhe landet e Hamburgut dhe Bremenit. Në këto lande do të bllokohen edhe aeroportet ndërsa qarkullimi hekurudhor në distanca të largëta nuk do të funksionojë fare. E probleme të mëdha priten edhe në trafikun publik dhe rrugor. Në rrugë mund të ketë tollovi të mëdha, sepse shumëkush do të niset në punë me makinë. Sa i përket punës, punonjësit duhet të shkojnë në punë, të punojnë në shtëpi ose të kërkojnë një ditë pushim. Greva nuk i mbronë ata nga mosshkuarja në punë, përveç atyre që janë në grevë. Po ashtu edhe nxënësi duhet të shkojnë në shkolla, ndonëse ekziston mundësia e modifikimit të mësimit. Por kjo varet nga shkollat. Dyqanet do të duhej të punojnë normalisht. Por edhe në dyqane, në spitale dhe në të gjitha institucionet tjera pritet të ketë vështirësi.