Eskalimi i dhunës në veri të Kosovës, sulmet ndaj gazetarëve dhe procesi i gjykimit për ish-krerët e UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë ishin ngjarjet që karakterizuar vitin 2023 në Kosovë. Kështu thuhet në raportin vjetor të organizatës ndërkombëtare humanitare Human Rights Watch (HRW).
HRW e cilëson “vënien para përgjegjësisë për krime serioze dhe cenimin e lirisë së mediave si shqetësime urgjente” lidhur me Kosovën.
„Gazetarët vazhduan t’u nënshtrohen sulmeve fizike, kërcënimeve dhe pengimit në punën e tyre”, thuhet në raport, ku evidentohen gjithsej 60 incidente, përfshirë 16 sulme dhe 22 kërcënime“, thuhet më tutje
Në këtë raport – ku për secilin nga 100 vendet evidentohen raste të shkeljes të së drejtave të njeriut – thuhet se në Kosovë vazhdojnë ende diskriminimi dhe kërcënimet ndaj personave të komunitetit LGBTI+.
Në Kosovë, njëjtë si në vitin paraprak, sërish raportohet se të mbijetuarit e dhunës në familje përballen me pengesa dhe mungesë mbështetjeje kur largohen nga abuzuesit e tyre. Për dallim nga viti i kaluar, në raportin e sivjetmë nuk u përfshinë rastet e vrasjes së grave nga partnerë apo familjarë të tyre e as rastet e dhunës seksuale.
Pavarësisht të gjitha shkeljeve dhe problematikave të identifikuara gjatë vitit 2023, në raportin e HRW thuhet se janë vërejtur edhe “shenja shprese që tregojnë mundësinë e një tjetër rruge”. Megjithatë, bëhet thirrje qe qeveritë kombëtare të marrin masa për ta përmirësuar situatën.