Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, lëshoi urdhërarrest për ish-nënkryetarin e Listës Serbe, Millan Radoiçiq, në lidhje me sulmin e armatosur në Banjskë – pjesa veriore e Kosovës.
Lajmin e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë Nenad Rashiq, ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës. Ai tha se urdhri është lëshuar me ndërmjetësimin e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, në bazë të kërkesës së Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.
Meqë Kosova nuk është anëtare e INTERPOL-it, urdhërarrestet ndërkombëtare lëshohen në këtë mënyrë. Mediat në Serbi kanë raportuar se urdhërarreste janë lëshuar edhe për 11 persona të tjerë të lidhur me sulmin në Banjskë.
Radoiçiq mori përgjegjësinë për sulmin e 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku.
Në përleshjet e armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.