Kamberi për dorëheqjen e kryeministrit serb: Krizë e thellë e pushtetit apo taktikë e re e Vuçiqit?

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka thënë se dorëheqja e sotme e kryeministrit serb, Millosh Vuçeviq, pas dy muajsh protestash të studentëve, duhet parë me kujdes.

Në një shkrim në Facebook, Kamberi ka thënë se dorëheqja e Vuçeviqit vjen në kohën kur Serbia po përballet me disa sfida. Ai shtron dilemën nëse është këtu fjala për një krizë të thellë në strukturat e pushtetit, apo për një strategji të menduar mirë për të përgatitur terrenin për zgjedhje të reja ose për të lehtësuar presionet ndërkombëtare?

Cani Travel

Kamberi shkruan se në ditët në vijim do të vërtetohet nëse është “era e ndryshimeve” ajo që po fryn në Beograd apo taktikë e re e Vuçiqit për heqjen e presionit.

Kryeministri serb, Vuçeviq dha sot dorëheqjen, pas muajve të protestave të studentëve që po kërkojnë përgjegjësi nga shteti për vdekjen e 15 personave në Novi-Sad nga shembja e një çatie të stacionit hekurudhor në këtë qytet.