Kancelari gjerman i bindur se do të ketë marrëveshje Kosovë-Serbi

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz ka pritur sot për vizitë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Një prej temave ishte edhe marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, mbi bazën e planit të cilin e kanë përgatitur së bashku Gjermania dhe Franca dhe tani quhet plan evropian. Kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë Vuçiq janë dakorduar me 27 shkurt në Bruksel për këtë plan. Kancelari Scholz deklaroi sot në konferencën me Ramën se “beson se ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”. Kjo do të jetë edhe tema kryesore e takimit të radhës mes Kurtit dhe Vuçiqit, i ndërmjetësuar nga Borell, në Ohër të Maqedonisë së Veriut, me 18 mars.

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka folur sot në Berlin për procesin e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe takimin e 18 marsit që do të mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Scholz tha se propozimi franko-gjerman është një propozim i peshuar që mbështetet nga Brukseli dhe Washingtoni dhe që ka marrë miratimin e të gjitha shteteve anëtare të BE-së.

Cani Travel

Kancelari Scholz ka shprehur pritjet e tij se do të ketë një përfundim të shpejt dhe të suksesshëm të këtij procesi.

“Kemi të bëjmë me një propozim shumë të peshuar të Gjermanisë dhe Francës dhe që mbështetët nga Bashkimi Evropian dhe Shtete e Bashkuara të Amerikës dhe që e gjeti pasqyrimin e tij edhe në vendimet e Këshillit Evropian në Bruksel. Në këtë kuadër unë besoj se ky proces do të përfundojë së shpejti me sukses”, ka thënë Scholz.

Tutje Scholz ka shprehur optimizmin e tij se do të arrihet një marrëveshje mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Mendoj se janë bërë përparime të mëdha, po të shikosh deklaratat publike të Vuçiq dhe Kurtit, ky është një përparim. Mendoj se ky është një plan që mund të zbatohet dhe duhet të realizohet. Prandaj unë jam i gëzuar kur ne arrijmë rezultatet konstruktive dhe të mira. Ndjesia ime është se tani mund të bëhet realitet ajo që deri tani nuk ishte e mundur. Do të ishte e mirë për zhvillimin e rajonit dhe Kosovës dhe Serbinë”, ka shtuar tutje.