Këngët e vjetra arbëreshe interpretohen në Prizren dhe Mitrovicë

Dueti Dina e Mel nga Kroacia do të prezantohet me albumin „Bërbili – këngët e harruara të arbëreshëve të Zarës“ në Prizren dhe Mitrovicë më 29 dhe 30.korrik. Dy muzikante nga Zara – Dina Bushiq (soliste) dhe Melita Ivkoviq (kitarë) do të interpretojnë këngët e vjetra të arbëreshëve të Zarës, të cilët u vendosën në këtë qytet gjatë shekullit të 18-të. 

Qytetarët e Prizrenit do të kenë mundësi të shikojnë këtë koncert të bukur të shtunën, më 29.korrik në Kino Bahçe të kinemasë Lumbardhi. “Albumi i Dina e Mel kap thelbin e Ballkanit, sharmin melodioz të këngës italiane dhe tingujt ritmik të melodive tradicionale”, thuhet në ftesën e organizatorit për këtë koncert.

Cani Travel

Një ditë më vonë, më 30.korrik, artistet Dina e Mel do të prezantohen në Muzeun e Mitrovicës, ku do të interpretojnë përsëri muzikën arbëreshe nga Zara e Kroacisë, këngë autentike për dashurinë, natyrën dhe nostalgjinë për vendlindjen. Ky koncert organizohet në kuadër të programit “Aktivitete Kulturore dhe Sportive për Mërgimtarë” në Mitrovicë.

Dina e Mel kanë pasur tashmë disa koncerte në vende të rajonit dhe ato të botës. Ato interpretojnë në gjuhën e vjetër arbëreshe dhe theksojnë se qëllimi i tyre ështëtë të ruajnë këngët e vjetra arbëreshe nga harresa dhe të pasurojnë edhe me shumë kulturën arbëreshe.