Kërcënohet kryeministri Albin Kurti

Përfaqësuesit e qeverisë e kanë konfirmuar për mediat në Kosovë se është kërcënuar kryeministri Albin Kurti. Rriten masat e sigurisë.

Qeveria e Kosovës e ka konfirmuar lajmin se  kryeministri Albin Kurti është kërcënuar. Deri tani nuk janë dhënë detaje se prej kujt dhe si është kërcënuar kryeministri Kurti, por para shtëpisë së tij janë shtuar dukshëm masat e sigurisë.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar për KALLXO.com se „kryeministri është kërcënuar“ dhe se janë shtuar masat e sigurisë.

Cani Travel

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë”, tha Kryeziu.

Tutje zëdhënësi theksoi se institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre, por nuk dha detaje se në ç’drejtim po shkon hetuesia.

“Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse. Në anën tjetër, kryeministri vazhdon angazhimin e tij të rregullt”, deklaroi Kryeziu. Ai nuk ka dhënë detaje për natyrën e kërcënimit dhe as kohën kur kanë ndodhur kërcënimet.