Këshilli i Evropës: Kosova nuk është në rend të ditës

Ministrat e Jashtëm të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës sot në Strasburg do të mbajnë sesionin vjetor në 75-vjetorin e themelimit të Organizatës.

Kosova nuk do të jetë në rend të ditës pasi disa nga shtete si Gjermani dhe Franca kanë kërkuar që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Cani Travel

Ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla, dje njoftoi se i ka dërguar një letër Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, me anë të së cilës u zotua se deri në fund të majit, Kosova do ta përpilojë një draft-statut të Asociacionit.

Kjo letër shkaktoi përplasje me presidencën, ku në reagimin e tyre u tha se për këtë letër s’ka pasur koordinim në mes të krerëve të shtetit.

“Presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me institucionin e Presidencës. Kjo letër nuk është e tillë. Mund të jetë konsultuar e koordinuar me individë jashtë institucioneve që sot e kanë publikuar këtë letër, por jo me Presidencën. Çdo derivat i letrës së zotimeve të nënshkruar nga tri institucionet duhet paraprakisht po ashtu të koordinohet dhe miratohet nga po këto tri institucione”, u tha në reagimin e presidencës.