Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, sot, ka marrë vendim që t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz. Sipas saj, Komiteti Ministror, i cili përfaqëson 46 shtetet anëtare të KiE-së, mori këtë vendim në një mbledhje të jashtëzakonshme, me më shumë se 2/3 e votave.
“Për shtetin tonë të ri, vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë sonë. Me këtë vendim përmbyllet një etapë e rëndësishme drejt anëtarësimit të plotë. Mbetet edhe shumë punë për të bërë”, ka shkruar ndër të tjera ministrja Gërvalla. Ndërsa presidentja e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu pohon se edhe flamuri i Kosovës së shpejti do të valëvitet para Këshillit të Evropës.