Publikohet rregullorja për liberalizimin e vizave

Sot është publikuar në gazetën zyrtare të BE-së rregullorja e cila mundëson liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në këtë rregullore theksohet se për viza nuk kanë nevojë mbajtësit e pasaportave biometrike që janë të lëshuara nga Kosova dhe në përputhje me standardet Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).

Cani Travel

“Ky përjashtim nuk duhet të zbatohet deri në datën nga e cila fillon të funksionojë Sistemi Europian i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), i krijuar nga Rregullorja (BE) 2018/1240 e Parlamentit Europian dhe e Këshillit ose deri më 1 janar 2024, cilado datë që vjen e para”, thuhet në këtë rregullore. Kjo do të thotë se pavarësisht futjes në fuqi të sistemit ETIAS, liberaizimi do të vie më së largu në fillim të vitit 2024.

Data e hyrjes në fuqi e kësaj rregullore zakonisht njihet si dita e 20-të pas publikimit të Rregullores në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian. Siç thuhet në procedurat e publikuara nga BE për këtë çështje, kjo do të thotë se rregullat e BE-së janë miratuar dhe publikuar – duke prodhuar kështu efekte juridike – por nuk janë domosdoshmërisht të detyrueshme në datën e hyrjes në fuqi.

Nëse rregullorja futet në fuqi më 15 maj, kjo kohë do t’iu mjaftojë institucioneve të Kosovës të ndërmarrin fushatat e nevojshme të informimit për të drejtat dhe obligimet e qytetarëve që burojnë nga lëvizja e lirë në Zonën Schengen. E kjo kohë ju mjafton edhe autoriteteve kufitare të vendeve të BE-së të përgatiten për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës nga 1 janar 2024.