Kosova aplikon për statusin e kandidatit për anëtarësim në BE

Moment i rëndësishëm për Kosovën: Krerët e institucioneve më të rëndësishme, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu, kryetari i Kuvendit Glauk Konjuftca dhe kryeministri Albin Kurti nënshkruan kërkesën për statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Po cilat janë pritjet e Kurtit, Osmanit e Konjufcës për hyrje në BE?

Cani Travel

Në një ceremonie të mbajtur para mediave dhe me fjalime për rrugën e pashmangshme të Kosovës drejt Bashkimit Europian, të tre udhëheqësit e Kosovës, nënshkruan edhe dokumentacionin përkatës për aplikim në BE. 

Presidentja Osmani tha se ky proces i rëndësishëm mund të zgjasë, por pa dhënë ndonjë vit të përafërt se kur mund të pranohet aplikimi dhe kur mund të ndodhë anëtarësimi, që varet nga shumë faktorë të tjerë.

“Procesi i anëtarësimit në BE nuk është i njëtrajtshëm dhe procesi në tërësi mund të jetë afatgjatë. Por, ne jemi të vendosur të që t’ia dalim me sukses”. Ndryshe nga ajo dhe më optimist u tregua kryeparlamentari Konjufca, i cili theksoi se destinacionin përfundimtar, Kosova e synon ta arrijë shpejt.

“Ne e meritojmë të bëhemi vend kandidat dhe të fillojmë rrugëtimin tonë drejt hapjes së negociatave për anëtarësim të plotë në BE, një fazë që synojmë ta arrijmë në një kohë sa më të shpejtë të mundshme”.

Kryeministri Kurti tha se kohëzgjatja nuk është vetëm procedurale, por varet nga puna e institucioneve të Kosovës. “Progresi do të varet nga përkushtimi ynë për reforma të thella dhe transformuese të cilat a avancojnë demokracinë, e forcojnë sundimin e ligjit dhe zhvillojmë ekonominë tonë. Shpejtësia me të cilën do të ecim do të varet nga ne, prandaj angazhimi i të gjithëve është i nevojshëm e përkushtimi i secilit i domosdoshëm”.

Kohëzgjatja e pranimit në BE është e ndryshme për secilin vend. Megjithatë, Kosova është rast më unik meqë aplikimin po e dorëzon megjithë faktin që pesë shtete anëtare s’e pranojnë shtetin e Kosovës, e kjo mund të jetë një pengesë shtesë për këtë vend.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili është i ngarkuar për integrimin europian, e ka përmendur vitin 2030 si një objektiv fillestar për anëtarësimin e Kosovës në BE.