Për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta, Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla iu drejtua me një letër autoriteteve gjermane, ku kërkon nga shteti i Gjermanisë që të lejojë hyrjen e qytetarëve të Kosovës që u ka skaduar pasaporta. Ai shkruan se problemi i pajisjes me dokumente të vlefshme ekziston për shkak të mungesës së materialit për t’u pajisur me pasaporta. Sveçla ka kërkuar që shtetasit kosovarë me leje qëndrimi të vlefshme në Gjermani të mund të kthehen nga Kosova në Gjermani pavarësisht skadimit të pasaportës kosovare.
Ministri i Brendshëm i Kosovës ka kërkuar që këto masa të vlejnë deri në muajin qershor 2023, ose më herët nëse zgjidhet çështja e mungesës së materialit për dokumente identifikuese. Në letrën e tij thuhet se për shkak të problemeve të shkaktuara nga mungesa e materialeve si rezultat i pandemisë e më pas edhe luftës në Ukrainë, Kosova si shumë vende të tjera, po përballet me mungesë të materialit për dokumente identifikuese.
Qytetarët e Kosovës tash e disa muaj janë duke pritur shumë gjatë për t`u pajisur me dokumente personale si patentë-shoferë, letërnjoftime e pasaporta.