Qeveria gjermane planifikon të ndryshojë Rregulloren për Ballkanin Perëndimor dhe të dyfishojë – nga 25.000 në 50.000 – numrin e punëtorëve pa kualifikime që mund të vijnë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina dhe të punojnë në Gjermani. Kështu thuhet në një dokument të përgatitur nga Ministria federale e Punës dhe Ministria e Brendshme e Gjermanisë, i cili është paraqitur në qeveri ditën e premte me 6 janar 2023. Dokumenti mban titullin „Drafti për zhvillimin e mëtutjeshëm të imigrimit të punëtorëve të kualifikuar në Gjermani“, njofton Diaspora Today.
Drafti parashikon ardhjen edhe të 15.000 punonjësve të kualifikuar, 30.000 punëtorëve sezonalë dhe 3500 asistentëve të infermierëve çdo vit. E me këtë dokument parashikohet edhe dyfishimi i punëtorëve që mund të vijnë brenda një viti në Gjermani sipas Rregullores për Ballkanin Perëndimor, pra nga 25.000 në 50.000 punëtorë pa kualifikime në vit.
Ministria e Punës dhe Ministria e Brendshme propozojnë që në Gjermani të futet edhe „Karta e shansit“, për ardhjen e fuqisë së kualifikuar punëtore në Gjermani. Sipas këtij propozimi, në Gjermani do të mund të vijnë më lehtë personat që i mbledhin gjashtë pikë, ndërsa pikët mund të merren varësisht nga përgatitja profesionale, njohja e gjuhës, përvoja e punës dhe mosha.
Për përgatitjen profesionale jepen katër pikë. Tre pikë jepen për njohjen e mirë të gjuhës gjermane ose për tre vjet përvojë pune. Dy pikë jepen nëse personi është më i ri se 35 vjeç. Ndërsa një pikë merr personi që ka jetuar më parë ligjërisht në Gjermani, në një kohëzgjatje prej të paktën gjashtë muaj. Por Gjermania në disa fusha ka nevoja emergjene për punëtorë. Kështu që në këtë dokument thuhet se ekspertët e informatikës do të kenë edhe lehtësime të tjera sa i përket përvojës së punës dhe njohjes së gjuhës. Ndërsa lehtësime do të ketë edhe për punonjësit e shëndetësisë dhe të përkujdesjes për të moshuarit, ku Gjermania ka nevoja shumë të mëdha.
Sa i përket punëtorëve sezonalë, ata në Gjermani mund të mbeten më së shumti gjashtë muaj në vit. Por pagesat e tyre duhet të bëhen sipas kontratave të përgjithshme, e kompanitë duhet të marrin përsipër edhe të paktën 50 % të shpenzimeve për udhëtime.
Në këtë mënyrë Gjermania planifikon të zbusë gjendjen me mungesën e fuqisë punëtore. Sipas Agjensisë për Punë, në tremujorin e tretë të viti 2022 ka pasur rreth 1,8 milionë vende të lira pune. Ndërsa këto propozime për ndryshimin e rregullave janë pjesë e reformës ligjore për të huajt në Gjermani, e cila ka fillur vitin e kaluar dhe do të vazhdojë edhe këtë vit.