Kosova ngre alarmin për sulme të mundshme në veri

Autoritetet në Kosovë kanë ngritur alarmin për sulme të reja të mundshme në veri të Kosovës. Kryeministri Albin Kurti tha, se Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, që mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, po përgatit sulme të reja ndaj Kosovës së bashku me grupin që kreu sulmin e 24 shtatorit ku mbeti i vrarë një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.

Në një konferencë në fundjavë, duke u bazuar në informacione të inteligjencës kosovare, Kurti përmendi disa lokacione në Serbi, ku grupi sipas tij, po kryen trajnime, përfshirë poligone ushtarake të Serbisë. Pretendimet e kryeministrit të Kosovës u hodhën menjëherë poshtë nga Ministria Serbe e Mbrojtjes. Kryeministri kosovar nuk ofroi dëshmi, por sipas Kurtit, „Milan Radoiçiq mban takime të rregullta me inteligjencën serbe dhe se pjesëtarët e grupit të tij, paguhen 2.000 euro në muaj”.

Cani Travel

Kurti: Radoiçiq përgatit sulme të tjera në Kosovë

„Kumtimi i urdhrit për sulmin në Banjskë, ishte dhënë në ambientet e kompanisë Novi Pazar Put, në pronësi të Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, që kanë qenë partnerë biznesi të Radoçiqit. Pas sulmit terrorist, Millan Radoiçiq u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde. Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme të tjera në Kosovë, bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste Mbrojtja Civile”, tha kryeministri Kurti. Duke zbuluar të dhëna, kryeministri kosovar tha se „Radoiçiq është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të inteligjencës serbe (BIA).

„Ambientet e firmës, Jabllanovica në Rashkë, si ato të Novi Pazar Put, po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve eksplozive për sulmet e ardhshme nga Radoiçiq dhe grupi i tij. Realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa anëtarë të ‘Mbrojtjes Civile‘, që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës”, tha Kurti. Ai po ashtu, përmendi edhe një poligon të ushtrisë serbe në Peshter, ku sipas tij, kanë rinisur ushtrimet e një grupi prej 60 personash të „Mbrojtjes Civile”, që sipas Kurtit „kanë marrë pjesë në sulmin në Banjskë”. „Mbrojtja Civile“ dhe „Brigada e Veriut“, dy organizata të serbëve të veriut në Kosovë cilësohen organizata terroriste.

„Ky grup kishte planifikuar sulme ndaj Policisë tonë pas përfundimit të zgjedhjeve në Serbi në lokacionet kufitare që lidhen me rrugët ilegale alternative”, tha Kurti. Sipas tij, Kosova në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, është e përgatitur që të zmbrapsë sulme të tilla. 

Serbia mohon akuzat

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Kosovës, që nga viti 2021 e deri më tash, „Policia e Kosovës ka qenë cak i 114 sulmeve në veri”, kryesisht të kryera nga grupi, që kreu sulmin në Banjskë të Zveҫanit.

Menjëherë pas këtyre deklarimeve të kryeministrit Kurti, Ministria e Mbrojtjes së Serbisë, mohoi këto akuza duke i quajtur madje „absurde“. „Është gënjeshtër dhe absurditet i plotë që terrenet stërvitore të Forcave të Armatosura të Serbisë po përdoren për stërvitjet e ndonjë njësie, me përjashtim të njësive të Forcave të Armatosura të Serbisë dhe herë pas here edhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme”, tha Ministria Serbe e Mbrojtjes, duke hedhur poshtë po ashtu se „ka plane për sulme në territorin e Kosovës”.

(DW)