Kosovë: Hapet zyra e Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane

Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane hapi dje zyren e vet në Kosovë. Me këtë rast u organizua një solemnitet në Prishtinë, ku morën pjesë personaliste të shquara nga jeta politike dhe ekonomike e Kosovës.

Të pranishmit i përshëndeti edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e cilësoi hapjen e zyrës së Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane në Kosovë, si urë ndërlidhëse mes dy shteteve.

Cani Travel

“Unë e përgëzoj Unionin që ofron një platformë të këtillë bashkëpunimi, sepse janë ura jonë ekonomike dhe tregtare me Bashkimin Evropian, në veçanti me Gjermaninë, dhe jam i interesuar që të shohim se a ka mënyra të reja, të tjera, se si ta bëjmë këtë lloj bashkëpunimi edhe në fusha të cilat nuk i kemi bërë deri më tani, përveç se ta shtojmë intensitetin aty ku tashmë bashkëpunimi po ndodhë”, deklaroi Kurti.

Kryeministri i Kosovës shtoi se bizneset vendore po bëhen gjithnjë e më shumë konkurruese në tregun global dhe për një arritje të tillë bashkatdhetarët kanë një rol të pazëvendësueshëm përmes krijimit të mundësive për ndërmarrjet lokale në skenën ndërkombëtare.