Gjermania në krizë buxhetore

A do të paguhen dot tani rrogat e nëpunësve dhe pensionet? Kjo pyetje u shfaq në medie pas vendimit të qeverisë së kancelarit Olaf Scholz për të bllokuar gjerësisht buxhetin e vendit. Pyetja e ka burimin në paralelizmin me bllokimet e buxhetit në SHBA, ku kundërshtarët politikë bëjnë presion ndaj tjetrit duke mosfirmosur lëvrimin e fondeve. Në Gjermani pagat e nëpunësve dhe pensionet do të vazhdojnë të paguhen, ato nuk janë në rrezik. Situata e pazakontë është krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pasi qeveria e kancelarit Scholz e respektoi brenda javës vendimin e Gjykatës prestigjoze gjermane. 

Cani Travel

Gjykata Kushtetuese tha se qeveria e kancelarit Scholz kishte shkelur rregullin kushtetues për borxhet. Sepse kishte transferuar kreditë e caktuara për rikuperimin nga pandemia (2021) në fondin për mbrojtjen e klimës dhe transformimin e ekonomisë, pa argumentim bindës. Bëhet fjalë për një shumë gjigande prej 60 miliardë eurosh. 

Probleme politike do të krijohen sapo të diskutohet konkretisht se cilave projekte do t’u hiqet vizë, sepse tani mungojnë 60 miliardë euro. Liberalët kërkojnë të bëhen shkurtime sociale. Por kjo do të prekte fillimisht pensionet, pastaj subvencionet për arsimin, pra do të godiste kohezionin social. Ndaj këtë e kundërshtojnë socialdemokratët e Të Gjelbrit. Nga ana tjetër, Të Gjelbrit kërkojnë taksat më të larta për më të pasurit, por këtë e kundërshtojnë liberalët.

Ka thirrje për bashkëpunim edhe me CDU-në. Por CDU duket se synon ta shtyjë Gjermaninë drejt zgjedhjeve të reja. Ajo thotë se mund ta hedhë në gjyq tani edhe Fondin për Stabilizimin e Ekonomisë. Prandaj ministri i Financave Lindner e akuzoi opozitën se kërkon ta hedhë në kaos Gjermaninë. 

Pas dyerve, njëkohësisht ekspertët po punojnë me vrull për të gjetur zgjidhje.

(DW)