Kosovë: Hiqen letrat ngjitëse nga targat e Serbisë

Qeveria e Kosovës vendosi të heqë masën reciproke për letra ngjitëse në targat e automjeteve të Serbisë që qarkullojnë në territorin e Kosovës. Ky vendim vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia.

“Heqja e regjimit të letërngjitëseve është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Cani Travel

Që nga një janari i këtij viti, edhe makinat me targa të Kosovës mund të qarkullojnë lirshëm nëpër territorin e Serbisë, pa i mbuluar simbolet shtetërore, pra targat me RKS. Kjo ndodhi pas një periudhe të gjatë tensionesh ndërmjet dy vendeve.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë se „Serbia po respekton marrëveshjen e arritur në vitin 2011 në Bruksel për lëvizjen e lirë dhe lehtësimin e lëvizjes së makinave për serbët e Kosovës”.

Autoritetet e Serbisë theksojnë se „mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet për arsye krejtësisht praktike, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe se ky vendim nuk mund të interpretohet si njohje e pavarësisë së Kosovës“.