Liderët e Ballkanit Perëndimor do të tubohen sot (17.07.2023) në Tiranë në një takim që zhvillohet në kuadër të përgatitjeve për samitin e Procesit të Berlinit, që mbahet në kryeqytetin e Shqipërisë, më 16 tetor.
Nikoqiri i tubimit është kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e në atë merr pjesë edhe komisioneri për Zgjerim në Bashkimin Europian, Oliver Varhely.
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar kryeministri i Malit të Zi, ai i Maqedonisë se Veriut, kryeministrja e Serbisë, por në atë do të mungojë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, njoftoi se kryeministri, Albin Kurti nuk do të shkojë në Tiranë, sepse muaj më parë e ka konfirmuar pjesëmarrjen në një konferencë në Kretë të Greqisë që mbahet të njëjtën ditë kur edhe paneli për Ballkanin Perëndimor në Shqipëri.
Në tubimin e sotëm në Tiranë, Kosovën do ta përfaqësojë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.