Kurti: Serbia po provokon me stërvitje afër kufirit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti njoftoi se gjatë ditës  së djeshme janë vërejtur njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë që ishin vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën, në afërsi të fshatit Banje të Zubin Potokut. Lëvizje të ngjashme janë regjistruar edhe në fshatin Oslare të Bujanovcit, në afërsi të kufirit me Kosovën.

Jemi të vetëdijshëm se Forcat e Armatosura të Serbisë janë duke realizuar stërvitjet e rregullta dhe ato janë duke i përdorur si pretekst për të shkaktuar provokime të qëllimshme në afërsi të kufirit me Kosovën, shkruan Kurti në faqen e tij zyrtare në Facebook.

Cani Travel

Ai shtoi se ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kërcënoi publikisht Kosovën, duke thënë se “Serbia do të presë momentin më të mirë të mundshëm dhe do ta shfrytëzoj mundësinë për të vepruar”.

Serbia zyrtare i quajti „dezinformata“ këto pohime të kryeministrit të Kosovës. Kryetari i Komisionit për zbatimin e Marrëveshjes së Kumanovës, Zoran Jovanoviq, tha sot se deklaratat e Kurtit „janë vazhdimësi e fushatës dezinformuese drejtuar kundër Forcave të Armatosura të Serbisë“. Ai shtoi se ushtria serbe po kryente detyra të rregullta për sigurimin e kufirit dhe kontrollin e zonës së sigurisë tokësore, “në përputhje me marrëveshjet ushtarako-teknike dhe të gjitha marrëveshjet e tjera të nënshkruara”.