Kurti vlerëson lart rolin e diasporës

Në Prishtinë u hap mbrëmë Forumi Ndërkombëtar “Ulpiana”, i organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Duke e hapur këtë tubim, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka folur për kontributet e diasporës së Kosovës. Ai tha se ato janë të pamatshme duke veçuar rolin e saj të rëndësishëm gjatë periudhës më të errët të Kosovës të shënuar nga krimet kundër njerëzimit dhe shtypja e zërave, në shpërfaqjen e mizorive ndaj popullit përballë propagandës së agresorit.

Cani Travel

“Diaspora jonë është më shumë se një grup individësh që jetojnë jashtë vendit; është një forcë e fuqishme – një urë e fuqishme që lidh atdheun tonë me botën”, theksoi kryeministri i Kosovës.

Në ceremoninë e hapjes së Forumin Ndërkombëtar “Ulpiana” ndodhi edhe një incident. Sapo mori fjalën kryeministri Kurti, në sallë u shfaqën disa persona me pankarta dhe u lëshua një zë që dëgjohej të thoshte “Zajdenica nuk kalon”. Sigurimi largoi menjëherë këta persona nga salla.

Bëhet e ditur se këtë aksion e kanë organizuar aktivistët e PSD-së.